UEFA Youth League, Skënderbeu U-19 barazon me Aston Villën

Skënderbeu U-19 luajti sot ndeshjen ndaj Aston Villa U-19 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, duke barazuar me rezultatin 1–1 në takimin e parë të raundit të dytë të UEFA Youth League.
Korçarët, të drejtuar nga trajneri Edmir Osmanllari, zhvilluan një ndeshje shumë të mirë përballë një kundërshtari me emër, duke treguar forcën e tyre gjatë gjithë sfidës.
Skuadra angleze kaloi e para në avantazh në minutën e 37-të me anë të Wilson, por Skënderbeu reagoi menjëherë dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 40-të me golin e Ensar Beqirit, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Oppong.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar 1–1, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Angli më 5 nëntor.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për Skënderbeun U-19 në këtë kompeticion prestigjioz evropian, ku korçarët kanë arritur të përfaqësojnë me dinjitet futbollin shqiptar pas kualifikimit të suksesshëm kundër Inter Escaldes në raundin e parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




