Claudia Fuller shpallet fituesja e Konkursit të Dirigjimit, Kraja: Garë e fortë!

Kulturë | 1 vit më parë

Claudia Fuller u shpall fituesja e edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjimit “Nikolla Zoraqi”, një ngjarje e rëndësishme që tërhoqi një interes të jashtëzakonshëm nga dirigjentë të rinj në mbarë botën.

Në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, ajo drejtoi me elegancë dhe siguri Orkestrën Simfonike të RTSH-së, duke marrë vlerësimet më të larta të jurisë ndërkombëtare dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut.

Konkursi, që u zhvillua përgjatë një jave në Tiranë, mblodhi 85 dirigjentë nga mbi 25 vende të botës, të cilët garuan për të treguar talentin e tyre në një prej skenave më të rëndësishme të muzikës klasike në Shqipëri

Dirigjenti Gridi Kraja, i ftuar në emisionin “Në Kohë Reale” nën moderimin e Flori Gjinit, komentoi procesin e vlerësimit dhe sfidat që përballet një profesion i tillë artistik.

Sipas Krajës, juria e kishte të vështirë të përzgjidhte fituesin, pasi sipas tij, dirigjimi është një profesion që nuk e vlerëson dot vetëm me një konkurs.

“Gjithçka është subjektive. Në përgjithësi jam kundër konkurseve, pasi dirigjenca është një profesion që nuk e vlerëson dot konkurrencën vetëm me një konkurs. Ajo që ka rëndësi është si punon një dirigjent me orkestrën dhe se vlerat e tij shfaqen më vonë gjatë procesit të punës,” u shpreh Kraja.

Kraja vlerësoi faktin që konkursi i jep mundësinë çdokujt të prezantohet në një skenë të tillë.

“Dirigjentët e rinj ishin të lumtur që po dirigjonin një orkestër. Në këtë konkurs i jepet mundësia kujtdo; konkurrues ishte edhe një 17-vjeçar shqiptar”, tha ai.

Dirigjenti shtoi se koncertet e Orkestrës do të vijojnë gjatë javëve në vazhdim, ndërsa në fund të nëntorit pritet të nisin provat për Festivalin.

“Festivali ynë është i rrallë  pak shtete organizojnë festivale të kësaj natyre. Ai vjen me standard dhe kërkon përkushtim të madh”,  përfundoi Kraja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme