Takimi me Bankers pa rezultat, naftëtarët të vendosur të mos tërhiqen edhe pas “presioneve” për përçarjen e grevës
Dhjetë naftëtarë dhe sindikalistë të sektorit të hidrokarbureve vijojnë grevën e urisë në ambientet e shoqërisë “Bankers Petroleum” në Marinzë të Fierit me kërkesën për trajtim dinjitoz, ndërkohë që greva është mbështetur edhe nga 250 punonjës të tjerë, të cilët kanë ndërprerë punën.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH 24, gazetarja Laureta Roshi raportoi për gjendjen e grevistëve duke theksuar se “gjendja shëndetësore e tyre është nën monitorim të stafit mjekësor për shkak të shfaqjeve të tensionit që kanë paraqitur disa prej tyre”.
Sipas gazetares Roshi, punëtorët pretendojnë se drejtuesit e kompanisë po u bëjnë presion nëpërmjet mesazheve me qëllim përçarjen e grevës.
“Vijojnë mesazhet nga drejtuesit e Shoqërisë Bankers që synojnë të ushtrojnë presion mbi punëtorët dhe të përçajnë grevën,” tha gazetarja Laureta Roshi duke shtuar se “është për të ardhur keq që takimi i organizuar dje nga Shoqëria Bankers me një përfaqësi të Sindikatës së grevistëve u prezantua si një mundësi për të ofruar një zgjidhje, por në fakt nuk ishte me drejtues të kompanisë që kanë kompetenca vendimmarrëse, por vetëm me një staf teknik pa autoritet për të marrë vendime.”
Sipas burimeve të gazetares, “stafi teknik u ka kujtuar grevistëve se kompania është në vështirësi ekonomike dhe mundësitë janë të pakta për të plotësuar kërkesat e tyre”.
Pavarësisht kësaj situate, grevistët janë të vendosur për të vijuar grevën deri në fund “ajo që është për t’u përmendur është fakti që ditët e fundit grevistët kanë marrë mbështetje edhe nga Organizata Botërore e Punës ILO, organizatë pranë OKB-së, e cila ka mbështetur grevistët në Marinzë të Fierit përmes mesazheve duke u dalë në krah” tha Roshi.
Sipas saj sot sindikalistët do të bëjnë publike korrespondencën e këtyre ditëve me këtë organizatë ndërkombëtare dhe mbështetjen që kanë marrë prej saj.
Mesazhi i këtyre ditëve nga grevistët është këmbëngulja që kanë naftëtarët për të qenë solid në kërkesat e tyre për të qëndruar dhe vijuar më tej bojkotin e punës.
Naftëtarët në grevë kanë artikuluar dy kërkesa kryesore që lidhen me përmirësimin e kushteve të tyre ekonomike.
E para ka të bëjë me rritjen e fondit të përgjithshëm të pagave me 18 për qind dhe shpërndarjen e kësaj shtese në mënyrë të drejtë për pagat më të ulëta, përmes një komisioni të posaçëm ku të jenë të përfshirë edhe përfaqësues nga Sindikata. Kërkesa e dytë lidhet me krijimin e një fondi sindikal që do të mbështesë veprimtarinë dhe të drejtat e punëtorëve.
Megjithatë, sipas vetë grevistëve, kompania Bankers ka refuzuar zyrtarisht të marrë në konsideratë këto propozime, duke argumentuar se nuk janë të parashikuara në Marrëveshjen Kolektive të nënshkruar mes palëve dhe nuk gjejnë mbështetje ligjore.
Si alternativë, kompania ka ofruar një shtesë prej 4.200 lekësh në muaj për dietën ushqimore, por kjo është refuzuar nga Sindikata me arsyetimin se nuk adreson problemin thelbësor të pabarazisë së pagave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




