Mbjellja e grurit në Kukës – Pas reshjeve të shiut, kushtet optimale për mbjellje
Eduart Doçi, mekanizator prej vitesh e ka nisur herët ditën e punës. Po mbjell me grurë njërën prej parcelave në fshatin Nange. Pas reshjeve të shiut Eduarti thotë se janë kushtet optimale për mbjellje.
“Janë kushte optimale sepse ka rënë dhe shi, pas thatësirës së verës”, u shpreh Doçi.
Vit pas viti duket se fermerët po mbjellin më pak sipërfaqe. Madje një pjesë mbjellin vetëm tërshërë e kultura të tjera.
“Fermerët nuk kanë më interes për të mbjellë, pak sipërfaqe sa për të ngrënë”, tha ai.
Vetë Eduarti, këtë sezon ka mbjellë dy hektarë. Thotë se nuk e ka përfunduar të gjithë procesin sepse mendon të mbjellë edhe më shumë. Mbjellja e grurit është në fillimet e sezonit. Është ende shpejt për të përcaktuar sasinë e sipërfaqes së mbjellë.
Farërat janë një tjetër shqetësim për fermerët. Edhe pse tregtohen ne farmacitë bujqësore Eduarti thotë se nuk kane sigurinë për cilësinë e farës.
“Këtë farë e kemi blerë në dyqan sepse nuk e kemi prodhuar vet”, tha fermeri.
Sezoni i mbjelljes së grurit zakonisht shfrytëzohet mes 15 tetorit deri më 15 nëntor si periudha më e favorshme për zonën tonë. Por kjo varet nga kushtet klimatike, dhe përgatitja e tokës bujqësore.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




