Zelensky i kërkon BE-së të zhbllokojë 140 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse

Botë | 1 vit më parë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të zhbllokojë 140 miliardë asete të ngrira ruse për t’i vendosur në dispozicion të Ukrainës.

“Kushdo që vonon vendimin për zhbllokimin e plotë të aseteve të ngrira ruse jo vetëm që kufizon mbrojtjen tonë, por edhe ngadalëson progresin e vetë BE-së. Është koha për të vepruar tani dhe kërkoj mbështetjen tuaj të plotë”, ka deklaruar Zelensky i cili merr pjesë në samitin e Brukselit.

Nga ana e tij, kryeministri belg Bart De Wever, vendi i të cilit mban asetet e ngrira që do të përdoren në skemën e ndihmës ndaj Ukrainës, tha se vendi i tij nuk duhet të mbajë të gjitha rreziqet.

“Nëse kërkesat plotësohen, ne mund të ecim përpara. Nëse jo, unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time në nivel evropian, gjithashtu në nivel kombëtar, politikisht dhe ligjërisht për të ndaluar këtë vendim”, tha De Ëever.

Nëse udhëheqësit janë në gjendje të bien dakord, kjo do ta çonte Ukrainën më pranë arritjes së njërit prej qëllimeve të saj kryesore që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022 – që Rusia të paguajë për dëmet e shkaktuara ndaj vendit.

De Ëever u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të BE-së të ndajnë kostot e çdo veprimi ligjor të ndërmarrë nga Rusia dhe të kontribuojnë financiarisht.

Ai tha gjithashtu se asetet e ngrira ruse të mbajtura nga vende të tjera duhet të jenë pjesë e skemës së ndihmës ndaj Ukrainës.

“Duhet të ketë transparencë në lidhje me rrezikun. Duhet të ketë transparencë në lidhje me bazën ligjore për këtë vendim”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, e bëri të qartë se pret një marrëveshje në parim të enjten, ndërsa detajet teknike do të vendosen më vonë.

“Ne do të marrim vendimin politik për të siguruar nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027, përfshirë blerjen e pajisjeve ushtarake”, tha Costa, i cili kryeson samitet e liderëve të BE-së.

Më tej Zelensky tha se qeveria e tij do të përdorë një pjesë të konsiderueshme të aseteve të ngrira për të blerë  armët nga Evropa.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme