Projektvendimi për “Zgjedhoren”: Plotësohet kushti për barazi. Në mungesë konsensusi, komisioni i drejtohet ODHIR-it dhe “Venecias”

Politikë | 1 vit më parë

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të përbëhet nga 16 anëtarë, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa mundësi për të dhënë propozime do të kenë edhe partitë e reja të Kuvendit të dala nga zgjedhjet e 11 majit 2025, “Shqipëria bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, por nuk do të kenë të drejtë vote.

Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë mes pozitës dhe opozitës, me 16 anëtarë gjithsej: 7 nga PS-ja, 7 nga PD-ja dhe 2 nga partitë që kanë siguruar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Përmes një marrëveshjeje të arritur mes dy partive kryesore më herët, PS-ja i ka liruar një vend PSD-së, ndërsa PD-ja ia liroi vendin Agron Shehajt. Drejtimi do të jetë bipartizan, me nga një bashkëkryetar nga socialistët dhe demokratët.

Sipas projektvendimit, Komisioni do të fokusohet në hartimin e ndryshimeve ligjore për Reformën Zgjedhore, adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ato parlamentare të 11 majit 2025, si edhe zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar. Gjithashtu, pritet të hartohet një ligj i posaçëm për financimin e partive politike.

Çdo parti e përfaqësuar në komision do të ketë të drejtë të propozojë amendamente, me qëllim që vendimmarrja të mbështetet sa më shumë në konsensus politik. Në rastet kur ky konsensus nuk arrihet, Komisioni do t’i drejtohet për ndihmë ekspertëve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Pranë Komisionit do të funksionojë një grup ekspertësh teknikë, përbërja dhe mënyra e punës së të cilit do të përcaktohet me vendim të vetë Komisionit. Në punime do të marrin pjesë edhe përfaqësues të OSBE-së, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, si dhe ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve, të cilët do të ofrojnë asistencë dhe ekspertizë teknike.

Mbledhjet do të jenë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, ndërsa vendimet do të konsiderohen të miratuara vetëm me mbështetjen e të dy bashkëkryetarëve. Afati i punës së Komisionit do të jetë 9 muaj nga miratimi i vendimit, me mundësi zgjatjeje përmes një vendimi të posaçëm të Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme