Podcasti “Flasim”, Rama prezanton dy projekte të reja: Kartat e ID në celular, portë digjitale në aeroportin “Nënë Tereza”

Aktualitet | 1 vit më parë

Në episodin më të fundit të podkastit “Flasim”, gjatë rubrikës “Shënimet e Javës”, kryeministri Edi Rama foli për hapat e radhës në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike në vend, duke nënvizuar dy projekte madhore: identitetin digjital dhe portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”.

Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet për një kapërcim teknologjik të rëndësishëm, ku karta e identitetit do të mund të përdoret në formë digjitale, përmes celularit apo kompjuterit, duke u shndërruar në një portofol elektronik shumëfunksional.

“Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira dhe më të lira se të mëparshmet. Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital,” u shpreh Kryeministri Rama.

Ai theksoi se ky zhvillim është në përputhje me objektivat e Bashkimit Europian, i cili ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të qytetarëve europianë. Ndërkohë, Shqipëria synon ta ketë gati këtë sistem në fillim të vitit 2026.

Në vijim, Kryeministri prezantoi edhe projektin për portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”, e cila do të lejojë hyrjen në vend pa ndalesa dhe pa kontroll tradicional të pasaportës, vetëm përmes verifikimit të pamjes dhe të dhënave të udhëtarit të lidhura elektronikisht.

“Aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura“, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme