SHBA- Kinë bien dakord për një marrëveshje tregtare, Trump mbyll vizitën në Malajzi, niset drejt Japonisë

Botë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump është larguar nga Malajzia, duke përmbyllur fazën e parë të turneut të tij diplomatik në Azi. Ai pritet të mbërrijë në Japoni, ku të martën (28 tetor) do të takohet me kryeministren e parë femër të vendit, Sanae Takaichi, si dhe me perandorin e Japonisë.

Gjatë qëndrimit në Malajzi, Trump mori pjesë në nënshkrimin e një deklarate paqeje mes Tajlandës dhe Kamboxhias, një zhvillim që ai e përshkroi si “historik”. Po ashtu, negociatorët tregtarë amerikanë arritën kuadrin e një marrëveshjeje tregtare me Kinën, një hap që synon të zbusë tensionet përpara takimit të planifikuar të Trump me presidentin kinez Xi Jinping këtë javë.

Ndërkohë, në Uashington, mbyllja e qeverisë federale po zgjatet, dhe disa ligjvënës kanë shprehur shqetësim për zgjerimin e operacioneve ushtarake të administratës Trump kundër rrjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe.

Përpara nisjes nga Kuala Lumpur, presidenti përdori rrjetin e tij social Truth Social për të vlerësuar rezultatet e vizitës.

“Sapo po largohem nga Malajzia, një vend i shkëlqyer dhe shumë i gjallë. Nënshkruam marrëveshje të mëdha tregtare dhe të tokës së rrallë, dhe dje, më e rëndësishmja, nënshkrova Traktatin e Paqes midis Tajlandës dhe Kamboxhias. JO LUFTË! Miliona jetë të shpëtuara. Çfarë nderi që e arritëm këtë. Tani, shkojmë në Japoni!!!”, shkroi Trump.

Trump do të qëndrojë në Japoni për pjesën e dytë të turneut gjashtëditor në Azi, ku pritet të zhvillojë bisedime mbi sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme