“Në Kohë Reale” — Kush do ta mësojë brezin e ri? Rrokaj dhe Cana ngrenë alarmin: Pa strategji kombëtare, arsimi rrezikon të mbetet pa mësues

Arsim | 11 muaj më parë

Në emisionin “Në Kohë Reale” me gazetarin Flori Gjini, u trajtua një nga temat më të ndjeshme të kohës , sikurse është rënia e interesit për profesionin e mësuesit dhe pasojat që kjo krizë mund të ketë për të ardhmen e sistemit arsimor.

Të ftuar në debat ishin Prof. Dr. Shezai Rrokaj dhe Rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Prof. Dr. Jaho Cana. të cilët ngritën alarmin për mungesën e një strategjie kombëtare dhe paralajmëruan se, nëse nuk merren masa urgjente, brezat e rinj rrezikojnë të mbeten pa mësues të përgatitur.

Sipas Rrokajt, mësuesi është çelësi i zhvillimit të shoqërisë, por interesi për këtë profesion ka rënë ndjeshëm për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së vlerësimit.

Nga ana tjetër, Cana theksoi se përveç pagesës, problem mbetet edhe infrastruktura mësimore, veçanërisht në zonat rurale.

Prof. Rrokaj theksoi se interesi për të ndjekur studimet në degët e mësuesisë ka rënë ndjeshëm, dhe sipas tij, kjo lidhet ngushtë me mënyrën e pagesës dhe vlerësimit të profesionit.

 “Problemi janë të ardhurat dhe kjo ka të bëjë me mësuesin si profesion. Duke e lidhur me pagesën, interesi i nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme është në 15% më të ulët të nivelit të notave që ata marrin. Kjo do të thotë që gjithë ata që marrin notat maksimale në shkollën e mesme, vetëm ata që plotësojnë 15 apo 20% nga fundi, shfaqin interes për mësuesinë.”

Ai shtoi se mësuesia është një profesion që garanton vendin e punës, por paga e ulët bën që të bjerë interesi për ta ndjekur.

“Kjo do të thotë që ata që tregojnë interes për mësuesinë vitet e fundit janë ajo kategori që nuk ka aspirata për diçka tjetër në jetën e tyre.”

Sipas Rrokajt, problemi duhet parë më thellë dhe duhet të ngrihet pyetja se çfarë pret shoqëria shqiptare nga ky profesion.

“Ne duhet të ndërtojmë një strategji më efektive që t’i shërbejë të ardhmes, jo thjesht sepse do të integrohemi në Europë, por duhet të përshtatim modelin dhe ta ndërtojmë këtu. Mësuesi nuk është thjesht njeriu që jep mësim në një shkollë, por me atë lidhet perspektiva e zhvillimit të shoqërisë.”

Ai e përmbylli me theksimin se fjala “mësues” nënkupton më shumë se një profesion, “Është perspektiva për të zhvilluar një gjeneratë, jo thjesht për të mësuar. Mësuesi është çelësi që përgatit të ardhmen e shoqërisë.”

Nga ana tjetër, Rektori Jaho Cana u shpreh dakord me analizën e Prof. Rrokajt, por shtoi se përveç pagës, një faktor tjetër që ndikon në mungesën e interesit është infrastruktura mësimore në sistemin parauniversitar.

“Nuk është vetëm pagesa, por mbi të gjitha infrastruktura mësimore në sistemin parauniversitar nuk i nxit të rinjtë që të vazhdojnë në sistemin arsimor. Kjo gjë na ka krijuar vështirësi jo vetëm në Universitetin tonë të Gjirokastrës, por në gjithë universitetet publike që ofrojnë programin për mësuesi.”

Sipas tij, mungesa e kushteve bën të pamundur që mësuesit të vijnë nga Tirana në Universitetin e Gjirokastrës.

Ai ngriti shqetësimin për emergjencën që po krijohet në stafin pedagogjik në zonat rurale dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat shtetërore.

“Duhet të ndërhyjmë urgjentisht dhe të zgjojmë interesin e maturantëve për t’u bërë pjesë e programeve të mësuesisë. Për këtë duhet një strategji kombëtare dhe nuk mund t’ia lëmë mendimeve sporadike të një apo më disa akademikëve. Këtu kërkohet një diskutim i gjerë kombëtar për të gjithë aktorët dhe faktorët që merren me arsimin në vend.”

Cana paralajmëroi se nëse situata vazhdon me këto ritme, nesër nuk do të ketë as profesorë për të përgatitur mësues të rinj, dhe nëse vijnë nivele të dobëta, kjo do ta rrezikojë edhe më tej sistemin. Megjithatë, ai tha se në degët e mësuesisë që ofron Universiteti i Gjirokastrës është arritur numri i domosdoshëm për hapjen e vitit të ri akademik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme