Fatos Nano në optikën e analistëve në “3D” në RTSH: Ai reformoi PS-në dhe pranoi rrotacionin e pushtetit

Politikë | 1 vit më parë

Emisioni “3D” në RTSH, i moderuar nga Alban Dushi, i kushtoi një analizë figurës së Fatos Nanos pas ndarjes së tij nga jeta. Ekspertë të ndryshëm politikë dhe juridik vlerësuan kontributin e ish-kryeministrit gjatë periudhës së tranzicionit.

Analisti Neritan Alibali e cilësoi Nanon si një figurë të madhe politike me “dritë-hije”, duke theksuar reformën e tij brenda PS-së:

“Ai arriti të reformojë një parti me të kaluar diktatoriale, duke e kthyer në partinë më demokratike në Shqipëri. Futi garën në PS dhe e liberalizoj.”

Alibali vuri në dukje se Nano, pavarësisht se mori pushtet të madh në vitin ’97, u fokusua te shpërndarja e pushtetit për ndërtimin e shtetit. Ai gjithashtu kujtoi talentin e Nanos për t’i vënë njerëzit në punë, duke e krahasuar me Berishën.

Avokati Idajet Beqiri theksoi vizionin e Nanos si ekonomist, duke pretenduar se vitet e qeverisjes së tij ishin “vite të arta ekonomike”:

“Në kohën e Nanos 97-2003 lulëzoi ekonomia. Vështirë se arrihen ato vite të arta ekonomike.”

Beqiri theksoi se burgosja e Nanos ishte politike dhe shtoi se kjo u pranua edhe ndërkombëtarisht.

“Kemi qenë bashkë në burg… por kurrë nuk e lëshoi veten. Është një humbje për politikën shqiptare.”

Zylyftar Bregu, analist, vlerësoi karakterin e tij politik: “Nano pranonte dhe veset, siç ka çdo njeri. Nuk u prek nga grykësia e pushtetit. Tërheqja e tij në moshën 53-vjeçare tregon se ai ishte një politikan klas, që pranon humbjen.”

Ndërsa gazetari Aulon Kalaja theksoi rëndësinë e dy koncepteve që Nano prezantoi në politikën shqiptare:

“Nano është një njeri që ka njohur institucionin e dorëheqjes. I vetmi që ka dhënë kaq shumë dorëheqje. Pranoi rrotacionin e pushtetit. Dorëheqja dhe rrotacioni janë koncepte që nuk njihen ende në Shqipëri.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme