“Fatos Nano, reformatori i pluralizmit demokratik në Shqipëri”. Flet për RTSH-24 Anastas Angjeli, një nga bashkëpunëtorët e ish-kryeministrit

Aktualitet | 1 vit më parë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH24, Prof. Dr. Anastas Angjeli, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-Kryeministrit Fatos Nano, ndau reflektime të thella për jetën dhe trashëgiminë politike të liderit socialist, duke e cilësuar si një figurë kyçe në historinë e pluralizmit demokratik në Shqipëri.

Ai kujtoi kontributin e tij në transformimin e ekonomisë komuniste në ekonomi tregu, përballimin e krizave politike dhe institucionale, si dhe rolin vendimtar në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe orientimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Sipas Angjelit, trashëgimia politike e Nanos mbetet themel për zhvillimet e sotme në Shqipëri.

“Është një humbje e madhe në radhë të parë për familjarët e tij, për fëmijët dhe të dashurit e tij, bashkëshorten, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët. “Është dhimbje e madhe largimi i një figure të shquar politike, publike dhe shtetare.” tha Angjeli, duke shprehur ngushëllimet e tij të thella.

Ai kujtoi fillimet e bashkëpunimit me Nanon që nga viti 1983, kur të dy ishin profesorë në Universitetin e Tiranës, dhe më pas si bashkëpunëtorë pas rrëzimit të komunizmit.

“Bashkëpunimi me Nanon ka qenë jo thjesht bashkëpunim formal, por një bashkëpunim njerëzor, bashkëpunim mendimesh, miqësor, politik,” tha Angjeli. “Ky bashkëpunim në hapat e para në vitet ’90 u shndërrua në një punë të palodhur për reformuar Partinë e Punës.”

Duke kujtuar periudha të vështira, Angjeli tha se “Kemi përballuar krizën e vitit 1998 ku u sulmuan të gjitha institucionet e shtetit për t’u shkatërruar. Jemi përballur me kriza të tjera ekonomike dhe financiare dhe ka qenë mençuria, urtësia, aftësia për t’i zgjidhur problemet jo me dhunë por me dije, me kulturë, me paqe, me demokraci. Ky ka qenë vizioni i Fatos Nanos.”

Ai theksoi se roli i Nanos ka qenë vendimtar në proceset demokratike dhe të tranzicionit në Shqipëri.

 “Ai ishte lideri i socialistëve nga 1991 deri në 2005, dhe jo vetëm kaq, por duke ushtruar dhe funksionin e kryeministrit disa herë. Kjo tregon dhe dëshmon, dhe historia do e tregojë këtë, që roli i tij është i pazëvendësueshëm për demokracinë shqiptare në atë periudhë.”

Sipas Angjelit, Nano diti të krijonte hapësira për të gjitha forcat politike në vend, që sikurse ai tha “Me tolerancën e tij, me sjelljen politike dhe të qeverisjes, ai krijoi të gjitha hapësirat e nevojshme që demokracia pluraliste dhe pluralizmi politik të zhvilloheshin, dhe Shqipëria të ecte drejt Bashkimit Europian.”

Duke folur për kontributin ekonomik të Fatos Nanos, ish- ministri i Financave, Prof. Dr. Anastas Angjeli solli në vëmendje një moment vendimtar nga fillimi i viteve ’90.

“Në janar 1991, Nano ishte Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Përgjithshëm dhe në krye të një grupi ekonomistësh prej katër vetash, mes të cilëve isha edhe unë. Shkuam për 45 ditë në tre vende të Europës Lindore për të marrë përvojën e tyre dhe për ta sjellë në Shqipëri, në një kohë kur ende qeveriste Partia e Punës me President Ramiz Alinë.”

Angjeli vlerësoi reformat demokratike që Fatos Nano ndërmori gjatë qeverisjes së tij të parë pluraliste, duke theksuar rolin e tij në kalimin nga një ekonomi komuniste e centralizuar në një ekonomi tregu.

Sipas tij, periudha kur Nano drejtoi Partinë Socialiste dhe shërbeu disa herë si kryeministër përkoi me zbatimin e reformave më të rëndësishme që hodhën themelet e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë së sotme.

“Në 1999 Shqipëria nuk kishte asnjë bankë private, sot ka 12 banka. Sot sektori bankar po luan një rol shumë të rëndësishëm falë atyre politikave që u morën në qeverisjet e Fatos Nanos dhe po zhvillohen sërish falë qeverisjes socialiste të drejtuar nga Edi Rama.”

Në përmbyllje, Prof. Dr. Anastas Angjeli tha se historia do ta njohë dhe vlerësojë rolin e Fatos Nanos si një reformator i vërtetë, një lider që kontribuoi në ndërtimin e themeleve të demokracisë dhe ekonomisë moderne shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme