Kandidati i mbështetur nga opozita, Sota: Vlora ka nevojë për ndryshim, prioritet transparenca dhe turizmi

Politikë | 12 muaj më parë

I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, në moderimin e gazetarit Arbër Hitaj, kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Dionis Sota, ka folur gjerësisht për projektet e tij në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore. Ai bëri të ditur se angazhimi i tij nis nga shoqëria civile, duke marrë pjesë në protestat ndaj rritjes së çmimit të ujit dhe shqetësimeve të tjera të komunitetit vlonjat.

Sota theksoi se megjithëse vjen nga fusha jo-politike, ai ka siguruar mbështetjen e opozitës.

“Unë nuk i shoh njerëzit nga ngjyrat politike, por nga vlerat. Prisja mbështetjen nga opozita. I pari më mbështeti kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ Adriatik Lapaj, më pas PD dhe Agron Duka i PAA-së. Kam mbështetje nga biznesi dhe shoqëria civile si kandidat i pavarur. Falënderoj ato forca politike që më mbështesin.” tha ai.

Sota u shpreh se nuk është një person konfliktual dhe se për hir të interesit të Vlorës, është i gatshëm të punojë me këdo. Ai e konsideroi bashkëpunimin me institucionin e Kryeministrit si “më se të nevojshëm”, pasi është një institucion i zgjedhur me votën e popullit.

Prioritetet dhe vizioni për qytetin

Kandidati i pavarur renditi disa nga pikat kryesore të programit të tij, duke e vendosur transparencën në krye të listës.

“E para nëse unë të zgjidhem kryebashkiak është transparenca me qëllim lehtësimin e çdo qytetari që të jetë në dijeni për përdorimin e buxhetit të Bashkisë Vlorë.” tha Sota.

Për turizmin, Sota shprehu një vizion dinamik, duke kritikuar qasjen aktuale. “Kam një vizion për turizmin dhe duke qenë se e njoh shumë mirë, them se duhet të ecet përpara… Vlora nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gjëra si një kasetë që përsëritet.”

Ai theksoi se kërkon që “një turist evropian të ndjehet si në një qytet evropian në Vlorë” dhe propozoi transport urban ekologjik për fshatrat e Vlorës.

Shqetësimet qytetare

Sota trajtoi gjithashtu shqetësime konkrete të komunitetit, duke theksuar problemin e ujit të pijshëm dhe menaxhimin e projekteve publike.

“Çmimi ujit është rritur, por nuk është i pijshëm. Një kryetar bashkie është si një kryefamiljar që nuk ndihet mirë kur një fëmijë nuk është mirë.”, tha Sota.

Ai shtoi se ndonëse “janë hedhur miliarda,” nuk ka pasur kompani që të zbatojnë siç duhet projektet për lejet e dhëna. Për Sotën, çështja e pronave dhe e mbështetjes së biznesit mbeten prioritare për rimëkëmbjen e qytetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme