Spiropali: Qeveria distancohet nga gjuha e urrejtjes ndaj ambasadorit të BE-së

Politikë | 12 muaj më parë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas deklaratave të Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në Kuvend ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Në një postim në platformën “X”, Spiropali shprehu indinjatën për atë që e cilësoi si një sulm të paprecedentë ndaj përfaqësuesit të BE-së dhe vlerave që ai përfaqëson.

“Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedentë ndaj Ambasadorit të BE-së dhe ndaj vlerave të BE-së në Parlament ditën e sotme,” shkroi ministrja, duke theksuar se gjuha e përdorur nga Berisha është e papranueshme dhe bie ndesh me standardet e diskursit politik në një vend që aspiron integrimin evropian.

Ajo vuri në dukje se “normalizimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve në lidhje me Ligjin jetik për Barazinë Gjinore është krejtësisht i papranueshëm.”

Spiropali theksoi se Qeveria Shqiptare dhe Ministria që ajo drejton “distancohen plotësisht nga retorika dhe qëndrime të tilla,” duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe rrugës së integrimit.

“Sot, është rasti të përsërisim edhe një herë me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë thelbësor për të ngushtuar në ZERO hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat,” përfundoi ajo.

Reagimi i Spiropalit vjen pas deklaratave të Sali Berishës në Kuvend, ku ai akuzoi ambasadorin Gonzato për “imponim të bindjeve personale” në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme