Zgjedhjet e pjesshme në Mat, 29.092 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri
Për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, 29.092 qytetarë të Bashkisë Mat kanë të drejtë vote për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.
Procesi do të zhvillohet në 47 qendra votimi, të shpërndara në të gjithë territorin e bashkisë. Në garë për kryetar janë tre kandidatë: Altin Bojni, kandidat zyrtar i Partisë Socialiste; Suzana Pasha, kandidate e pavarur, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në Mat, dhe Eduart Brahilika kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita.
Vakanca në Mat u krijua pasi kryetari i zgjedhur në 2023, Agron Malaj dha dorëheqjen pasi u zgjodh deputet më 11 maj duke lënë postin e bashkisë të lirë.
Në zgjedhjet e vitit 2023, Agron Malaj fitoi me 8,525 vota (66.11 %), ndërsa Skënder Gjuci nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 4,370 vota (33.89 %).
Votimi në 9 nëntor nisi në orën 07:00 dhe përfundon në 18:00 dhe do të monitorohet nga vëzhgues të KQZ-së dhe përfaqësues politikë për të garantuar korrektësi dhe transparencë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




