Skënderbeu merr arratinë, Nasr është protagonisti i fitores në Fier

Skënderbeu vazhdon marshimin drejt elitës së futbollit shqiptar. Korçarët fitojnë 3-2 në Fier përballë Apolonisë vendase dhe shkëputen akoma më shumë të vetëm në krye të renditjes së Kategorisë së Parë. Ka qenë e bukur, plot emocione dhe gola sfida që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Fierakët kalojnë të parët në avantazh me Trifonin, që tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Por festa e vendasve nuk zgjat shumë, sepse korçarët përmbysin rezultatin brenda pak minutash. Nasr shënon golin e barazimit, ndërsa Musa golin e dytë për miqtë. Apolonia nuk dorëzohet dhe barazon shifrat me Topin. Mbyllet në barazim 2-2 pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës është sërish Nasr që shënon për korçarët dhe vulos fitoren e Skënderbeut. Rreshjet e dendura të shiut ndikuan në pjesën e dytë, duke mos lejuar skuadrat që të jepnin më të mirën e tyre në fushën e blertë.
Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 28 pikëve në klasifikim, 7 më shumë se Laçi i vendit të dytë, ndërsa Apolonia mbetet në kuotën e 13 pikëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




