Kërkuan pavlefshmëri të akteve në dosjen “Partizani”, GJKKO rrëzon Berishën dhe Malltezin

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat e mbrojtjes për pavlefshmërinë e akteve të administruara në hetimet e dosjes “Partizani”, ku të akuzuar janë kryedemokrati Sali Berisha, dhwndri i tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Në vendimin e shpallur sot, gjykata vlerësoi se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara në ligj, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim për ndalimin e ushtrimit të profesionit ndaj prokurores Irena Gjoka dhe se caktimi i ekspertëve është kryer konform ligjit.
Sipas trupës gjykuese, asnjë nga aktet e SPAK-ut nuk rezulton i pavlefshëm, ndërsa kërkesat për pavlefshmëri absolute u rrëzuan si të pabazuara.
Gjatë seancës, prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai paraqitën rezultatet e hetimeve paraprake, sipas të cilave Fatmir Bektashi u ka premtuar Berishës dhe Malltezit një pjesë të të ardhurave nga privatizimi dhe ndryshimi i destinacionit të kompleksit “Partizani”.
SPAK akuzon Bektashin për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa Berishën dhe Malltezin për korrupsion pasiv.
Procesi pritet të vijojë me administrimin e provave të prokurorisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




