Hapet edicioni jubilar i shkollës së integrimit evropian, Peleshi: Kuvendi partner i palëkundur i reformave

Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) çelën të hënën edicionin e dhjetë jubilar të Shkollës së Integrimit Evropian, një traditë e konsoliduar e organizuar në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Ballkanin Perëndimor” dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.
Në ceremoninë hapëse, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, përshëndetën 50 pjesëmarrësit e përzgjedhur nga 430 aplikime.
Peleshi: 10 vjet traditë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi rëndësinë e këtij edicioni jubilar, duke vënë në dukje se në dhjetë vjet, kjo shkollë është kthyer në një pikë referimi vjetore.
“Kuvendi mbetet një partner i palëkundur i çdo reforme që lidhet me procesin e integrimit dhe do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim në këtë drejtim, duke ushtruar funksionin e vetë mbikëqyrës dhe ligjvënës për t’u siguruar që reformat e dakordësuar për integrim të zbatohen plotësisht,”, theksoi Peleshi.
Nënkryetari i KKIE, Taulant Balla, e cilësoi Shkollën e Integrimit Evropian si një traditë të konsoliduar që ndan dijet për procesin e integrimit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadori Gonzato: Integrimi, projekt mbarëshoqëror
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti edhe Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, i cili foli për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe rolin thelbësor të shoqërisë shqiptare në këtë rrugëtim.
Gonzato theksoi se “integrimi në BE është një projekt mbarëshoqëror që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe qytetarëve.”
“Secili prej jush ka mundësi të kontribuojë në integrimin në BE. Shqipëria ka nevojë për këtë kontribut, sepse siç thuhet në raportin e anëtarësimit integrimi është një projekt që duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve dhe komuniteteve lokale,”, nënvizoi ambasadori.
50 studentë të përzgjedhur dhe 5 ditë trajnim
Nga 430 aplikime, u përzgjodhën 50 studentë, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, akademikë, biznesi, media, shoqëria civile dhe minoritetet.
Gjatë 5 ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin njohuri të thelluara dhe të diskutojnë me ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar mbi çështjet që lidhen ngushtësisht me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




