Rritja e konsumit ushqimor në Shkodër ka sjellë më shumë inspektime nga AKU
Rritja e konsumit ushqimor në Shkodër gjatë vitit 2025 ka sjellë një operim më të gjerë të subjekteve tregtare dhe prodhuese në territorin e qarkut.
Si rrjedhojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka shtuar ndjeshëm kontrollet ndaj subjekteve në këtë sektor, veçanërisht ndaj atyre me risk të lartë, të cilat i nënshtrohen inspektimeve 3 deri në 4 herë brenda vitit.
“Është shtuar numri i subjekteve në fushën e ushqimit dhe është rritur konsumi. Këtë e vërejmë edhe nga certifikatat e eksportit që ne lëshojmë për produktet ushqimore që dërgohen jashtë vendit. Vërejmë një rritje të konsumit për qarkun Shkodër,” tha Ramir Haderi, drejtor i AKU Shkodër.
Sipas drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi, deri më tani nuk janë konstatuar problematika që lidhen me shëndetin e konsumatorëve. Megjithatë, ai u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshimtë apo problematik që lidhet me sigurinë ushqimore.
“Janë bërë rikontrollet dhe janë plotësuar kushtet e përcaktuara. Deri në këtë periudhë të vitit nuk kemi pasur raste që lidhen me probleme në shëndetin e konsumatorëve. Ftojmë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë AKU-n në rast se konstatojnë parregullsi,” u shpreh Haderi.
Prioritet për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit mbetet garantimi i sigurisë ushqimore dhe parandalimi i çdo rreziku për shëndetin e qytetarëve, sidomos gjatë periudhave me fluks të lartë konsumimi.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




