100-vjetori i BSH, Rama: Model se si duhet të jenë institucionet e pavarura

Ekonomi | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në konferencën e mbajtur për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, se ky është i vetmi institucion që plotëson kushtet për t‘u quajtur i tillë.

Rama e konsideroi këtë 100-vjetor si një moment të rëndësishëm, ndërsa theksoi se ky BSH është modeli se si duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.

Kryeministri theksoi se Banka e Shqipërisë plotëson standartet e institucionioneve që i nevojiten vendit për të përmbushur kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe tryezën e familjes europiane.

“Moment i rëndësishëm i jetës së Bankës së Shqipërisë. Detyra e Bankës së Shqipërisë, garantimi që në afatshkurtër gjithçka të jetë brenda kornizës së një afati të gjatë.

BSH është në mos i vetmi, ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën: Institucion. Me atë kuptim e standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe tryezën e familjes europiane.

S’është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucione të tjera, të cilat me plot kuptimin e fjalës, janë në formim e sipër.

Do ishte e dobishme që historia e zhvillimit dhe përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u formësuar e konsoliduar si institucion të merrej përsipër e të shkruhej për tu dhënë të tjerëve një pasqyrë të rrugës si u ngrit një institucion i tillë që sot është plotësisht i integruar në botën ku jetojmë. Ky është institution që na përfaqëson si model i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit”, tha ai.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se krahas politikës monetare për të cilat duhet një menaxhim i mirë, nevojiten gjithashtu mekanizma të rinj kontrolli për të përqafuar faktet e reja të imponuara nga ndryshimet e zhvillimet e kohës.

“Krahas me paranë që duhen menaxhuar, kemi algoritmet që aq më tepër nuk e menaxhojnë dot veten.

Krahas politikës monetare, duhen mekanizma të rinj kontrolli në funksion të menaxhimit të algoritmeve, por dhe një mendje shumë më e hapur për të përqafuar këto fakte të reja të imponuar nga zhvillime që tanimë nuk i kontrollojmë dot. Duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë.

Për bankat qendrore që kanë institucione të vendosura thellë në histori, vijnë si institucione të rritura dhe të konsoliduara me vetëdijen që duhet të ruajnë stabilitetin, kjo kohë është një sfidë e jashtëzakonshme.”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme