“Në kohë reale” – Atentati në Rinas, gazetarja Topalli: Vrasja ishte me pagesë. Viktima Gilmando Dani ishte mik i Emiljano Shullazit
Ngjarja e rëndë kriminale e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit këtë të martë, 11 nëntor, duket se ka qenë një atentat i mirëorganizuar dhe viktima Gilmando Dani është ruajtur për një kohë të gjatë pasi autorët duket se kishin informacion të saktë për fluturimin dhe mjetin me të cilin do të udhëtonte.
Gazetarja Aida Topalli tha në emisionin “Në kohë reale” në RTSH se vrasja ka qenë me pagesë dhe se autorët janë siguruar që Dani të eliminohej këtë herë, pas dy atentateve të dështuara në 2011 dhe 2015..
Sipas saj viktima ishte shok i Emiljano Shullazit dhe se jeta e tij ishte mes Spanjës dhe Shqipërisë. Gjithashtu lidhur me të plagosurin M.SH., Topalli tha se ishte i punësuar te AMP dhe kishte dy emra.
“Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një zonë me fluks të lartë. Viktima, Gilmando Dani, ka qenë dy herë shënjestër e atentateve më parë. Ai ishte pjesë e grupit të Emiljano Shullazit dhe u arrestua në 2016, pasi ishte përfshirë në kanosje ndaj disa biznesmenëve për përfitime të paligjshme në zonë. Në vitin 2023, Dani u lirua me kusht. Ky atentat dyshohet të jetë me pagesë, ndërsa Dani ishte i mbrojtur dhe i ndjekur për një kohë të gjatë nga personat që donin ta eliminonin. Ai lëvizte shpesh mes Spanjës dhe Shqipërisë, dhe autorët duket se kishin informacion të saktë për fluturimin dhe mjetin me të cilin do të udhëtonte. Autorët kishin dijeni kur do zbriste në aeroportin e Rinasit, për automjetin me të cilin do udhëtonte. Ai është ruajtur dhe e dinin që do ishte pasagjerë dhe është qëlluar për vdekje nga afër që të mos shpëtonte këtë radhë. I plagosuriM.SH. punonte prej 1 muaj e gjysmë te AMP dhe kishte dy emra. Ai ishte në provë në punë dhe sot ishte në automjet me një personazh të njohur të botës së krimit”, tha Topalli.
Gjithashtu nga Spitali i Traumës, gazetarja Albana Qirjako tha se i plagosuri M.SH. ka marrë plagë në kokë dhe vijon të ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Viktima Gilmando Dani dhe i plagosuri M.Sh. sapo ishin kthyer nga Barcelona drejt Tiranës. Automjeti i tyre, një Mercedes-Benz S-Class, u qëllua nga autorët pranë aeroportit të Rinasit.
Automjeti tip “Mercedes-Benz S-Class” ku udhëtonte Dani dhe miku i tij dhe makina ku ishin atentatorët kanë lëvizur paralel për disa metra dhe në një moment, nga makina e autorëve është hapur zjarr me breshëri automatiku, në drejtim të automjetit të Danit. Automjeti i viktimës ka vijuar të lëvizë për disa metra, përpara se të ndalonte si pasojë e të shtënave.
Në atë moment, njëri prej autorëve, i maskuar dhe me kapele, ka zbritur nga makina, është afruar pranë automjetit të Danit dhe ka qëlluar disa herë nga afër me pistoletë, për t’u siguruar që ta eliminonte përfundimisht viktimën.
Më pas autorët u larguan drejt Fushë-Krujës, ku më vonë u gjet një Toyota e djegur, brenda së cilës ishin katër armë zjarri të përdorura gjatë atentatit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




