Bllokohen 75 ton misër i ardhur nga Serbia, AKU Shkodër verifikime dhe kontrolle në pikën kufitare

Aktualitet | 12 muaj më parë

Një tjetër kamion me 75  tonë misër rifuxho për bagëti ardhur nga Serbia është bllokuar në doganën e Hanit të Hotit. Drejtori i AKU Shkodër, Ramir Haderi tha se në bazë të urdhrit të ministrisë, produktet e ardhura nga Serbia janë në fokus të ndalimeve, pas dyshimeve për mosrespektim të standardeve të sigurisë ushqimore.

“Kemi bllokuar aktualisht 75 ton dhe po presim analizimin e tyre. Urdhri i djeshëm është që të gjithë produktet që janë nga Serbia, ushqim për kafshë, po trajtohen në bllokim në magazinat e subjekteve të operatorit të biznesit”, deklaroi Haderi.

Kontrolli u krye në pikën e inspektimit kufitar, ku pas verifikimeve të dokumentacionit dhe analizave paraprake, u vendos masa e bllokimit deri në daljen e rezultateve laboratorike.

“Ushqimi për kafshë kishte prezenca fetoksine, janë rezultate paraprake. Presim rezultatet përfundimtare që janë dërguar jashtë territorit të Shqipërisë për rianalizim. Meqë janë paraprake, ne kemi bërë bllokimin e asaj sasie”, shtoi ai.

Në këtë kuadër AKU ka dhënë edhe 6 masa paralajmërimi për farmacitë bujqësore në Shkodër.

“Kemi kontrolluar rreth 15 subjekte dhe janë marrë 6 masa paralajmëruese në bazë të ligjit të ri të inspektimit. Është kontrolluar etiketimi i gjithë produkteve që janë të farmacive dhe është vijim i planit që është ngritur Task-Forcës së ngritur me urdhër të ministrit”, theksoi Haderi.

AKU thekson se nuk do të lejojë hyrjen në tregun vendas të produkteve që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e kafshëve dhe konsumatorëve, duke shtuar se kontrollet në import po intensifikohen në të gjitha pikat kufitare.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme