Rama: PS mban premtimet, pensionet rriten dhe bonusi i fundvitit shpërndahet

Politikë | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga drejtuesja politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim konsultativ në Njësinë nr. 5 për dëgjesat publike mbi buxhetin e qytetarëve për Tiranën dhe Shqipërinë.

Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e mbajtjes së premtimeve dhe angazhimit të qeverisë për të qenë pranë komuniteteve në çdo cep të vendit.

“Vendosëm që të jemi jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. 83 mandatet kanë krijuar një ndjenjë të fortë detyrimi për të qenë sa më afër komuniteteve, në mënyrë që shqetësimet, hallet dhe problemet të adresohen,” u shpreh ai.

Kryeministri nënvizoi se projektbuxheti i vitit 2026 përmban zotimet kryesore të marra para qytetarëve, duke i kthyer ato nga fjalë në projekte konkrete të shoqëruara me mbulim financiar.

“Shumëkush i ka konsideruar si premtime për të marrë votën, disa fjalë boshe, por qysh në projektin që ne kemi depozituar, mund të duket konkretisht që shumë nga ato që ne kemi marrë përsipër janë atje me faturën për t’u mbajtur,” tha Rama.

Një pjesë e madhe e buxhetit është dedikuar pensionistëve, të cilët sipas tij do të përfitojnë rritje të ndjeshme të pensioneve në mënyrë progresive. “Pjesa e luanit në buxhetin e shtetit shqiptar për të katërt vitet e ardhshme është pjesa që u takon pensionistëve. Pensionistët e kanë dëgjuar shumë herë nga unë se sa e vështirë është që të rriten pensionet. Në fund të ditës kjo është çështje mundësie, jo dëshire,” deklaroi ai.

Rama siguroi se bonusi i fundvitit për pensionistët do të shpërndahet para festave të Vitit të Ri, ashtu siç është premtuar.

 “Bonusin do e marrin edhe këtë vit siç është premtuar, dhe do e marrin para Vitit të Ri. Bonusi është i angazhuar dhe kohën e përcaktuar do të fillojë shpërndarja para festave,” theksoi Kryeministri.

Në lidhje me rritjen e pensioneve, ai sqaroi se pensioni urban me vite të plota pune, që sot është 27,350 lekë, do të arrijë në 40,000 lekë brenda mandatit.

“Brenda mandatit nuk do të thotë që të presim katër vjet dhe të themi në fund që nuk e bëmë dot, por është një shumë që do të rritet në mënyrë progresive vit pas viti në çdo janar. Ajo që merrni në janar të 2026 do të dyfishohet në janarin e 2027, do të trefishohet në 2028, katërfishohet në 2029 dhe pesëfishohet në janarin e 2030,” u shpreh Rama.

Ky angazhim, sipas tij, është dëshmi se qeveria synon të mbajë premtimet e dhëna dhe të përmirësojë ndjeshëm jetën e pensionistëve, duke i vendosur ata në qendër të politikave sociale dhe financiare të vendit.

Rama: Institut Kombëtar për Tumore, buxhet i veçantë për barnat e kancerit

Kryeministri Edi Rama, gjatë dëgjesës publike për buxhetin në Njësinë nr. 5, theksoi se qeveria ka vendosur të adresojë me prioritet problemin e trajtimit të pacientëve me kancer, duke e konsideruar si një sfidë madhore për sistemin shëndetësor.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se kanceri po shfaqet gjithnjë e më shpesh dhe është kthyer në një shqetësim të përditshëm për familjet shqiptare.

“Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën kanceri ka filluar të bëhet si grip dhe realisht nuk ka javë që unë të mos marr një mesazh nga dikush që papritur në shtëpi i shfaqet në trupin e një të afërmi kanceri,” tha ai.

Kryeministri nënvizoi se problemi kryesor lidhet me barnat e rimbursueshme dhe kostot e larta të trajtimit.

“Përtej të gjitha përmirësimeve dhe transformimeve që janë bërë, ne kemi një problem real, që sot nuk mund ta shtyjmë më: problemi i barnave, i mbulimit me barna të rimbursueshme, të nevojshëm për pacientët që kanë kancer, që janë barna që kushtojnë,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se qeveria e sheh çdo pacient me kancer si pjesë të një familjeje të madhe.

“83 mandatet janë thirrje që çdo i sëmurë me kancer në Republikën e Shqipërisë të jetë njeriu i familjes tonë,” deklaroi Kryeministri.

Në këtë kuadër, Rama bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2026 është parashikuar një fond i veçantë për pacientët me kancer, si dhe ngritja e një institucioni të posaçëm për trajtimin e tumorit.

“Kemi vendosur që të ngremë institucion për tumorin, për trajtimin e kancerit. Kemi mundësinë që këtë projekt ta udhëheqë ministria e Shëndetësisë, sepse është onkologe. Kemi mundësinë edhe për ato avantazhe që na jep koha dhe teknologjia,” tha Rama.

Ky angazhim, sipas tij, është një hap i rëndësishëm për të garantuar mbështetje më të madhe për pacientët dhe për të forcuar sistemin shëndetësor shqiptar në përballjen me një nga sëmundjet më të vështira të kohës.

/rtsh,al./


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme