Shqipëria rrit angazhimin për klimën, fokusi tek reduktimi i gazrave dhe teknologjitë e qëndrueshme

Ekonomi | 12 muaj më parë

Rikuperim, riciklim, ripërdorim në mbrojtje të mjedisit ishte tema e Konferencës për Ozonin dhe Klimën.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi rolin e sipërmarrjes në reduktimin e ndotjes dhe përdorimin e teknologjive të qëndrueshme.

“Nëpërmjet këtyre negociatave, ne përgatisim edhe sektorin privat. Nëse të gjitha bizneset apo dhe industrinë shqiptare nuk arrijnë të përmirësojnë teknologjinë e tyre, do të jetë e pamundur në momentin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe të jetë pjesë e tregut të përbashkët europian për të mbijetuar me konkurrentët e tyre”, tha Jaupaj.

Zv. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muça nënvizoi nevojën për bashkëpunim institucional në uljen e gazrave ndotës, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Politikat që ne kemi pasur janë për të lehtësuar në vijueshmëri, në lehtësimin dhe prodhimin gjithnjë e më të lartë nga burime të gjelbra dhe të rinovueshme të energjisë elektrike. Do të krijojmë bashkë me mjedisin një sinergji për të mundësuar reduktimin e emetimeve të gazrave dhe çfarëdolloj prodhimi, reduktimeve dhe të përdorimit të karburanteve”, tha Muça.

Elena Miceva nga Departamenti i Protokollit të Montrealit prezantoi projektet e reja që synojnë mbështetjen e vendeve në tranzicionin drejt teknologjive të qëndrueshme të ftohjes.

“Duhet të bëjmë më shumë për një tranzicion të plotë drejt zgjidhjeve ftohëse të qëndrueshme. Kjo na mundëson të vijojmë me projektet ekzistuese dhe të sjellim iniciativa të reja që adresojnë më mirë nevojat tuaja”, nënvizoi Miceva.

Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e BE-së dhe është firmëtare e Protokollit të Montrealit që prej vitit 1999.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme