Rama në Njësinë 3: Veliaj duhej të prezantonte buxhetin, Ogerta kandidatja jonë

Politikë | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative nr. 3 në Tiranë, ku prezantoi disa pika kyçe nga projekt buxheti 2026 dhe angazhimet kryesore të qeverisë për mandatin e ardhshëm.

Në takim, kreu i qeverisë u ndal te situata me kryebashkiakun e Tiranës. Rama tha se Veliaj duhej të ishte vetë ai që fliste mbi buxhetin e Bashkisë ndërsa i bëri thirrje që Gjykata Kushtetuese ta rikthejë atë në detyrë, duke argumentuar se qytetarët meritojnë qeverisje nga i zgjedhuri i tyre legjitim.

“Pavarësisht përpjekjes që bëmë nuk ia dolëm sepse Kushtetuesja refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë. Por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin që kur kryetari i bashkisë shkoi atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhuri. Atëherë ai duhet ta kthejë në zyrë“, u shpreh Rama.

Po ashtu, Rama deklaroi se Ogerta Manastirliu mbetet kandidatura e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht zhvillimeve të fundit.

‘Jemi edhe sot këtu së bashku me Ogertën e cila ishte dhe mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën, kur të vijnë zgjedhjet…”, tha Rama.

Kryeministri foli për rikthimin e projektit të kamerave inteligjente për monitorim publik. Sipas Ramës, ky sistem do të instalohet “shumë shpejt” dhe do të jetë gjithëpërfshirës: rrugë, shkolla dhe akse kryesore.

“Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të qyteteve dhe të rrugëve kombëtare është një projekt strategjik për sigurinë, për pastërtinë, për qetësinë e prindërve lidhur me fëmijët në shkolla”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë dëgjese foli edhe për ngritjen e Instituti Kombëtar për Tumoret, siç e kanë shumë vende të Europës.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme