Kryeministri Rama uron Lara Colturi për suksesin në Botërorin e Skive në Finlandë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur skiatoren shqiptare Lara Colturi për vendin e dytë të arritur në Botërorin e Slalomit të Skive në Levi të Finlandës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama ka vlerësuar këtë rezultat si një arritje të madhe për sportin shqiptar, duke theksuar se Lara Colturi, skiatorja e Shqipërisë, ka siguruar vendin e dytë në një ditë të veçantë për të, teksa feston 19-vjetorin e lindjes.
“Lara Colturi, skiatorja e Shqipërisë, ka siguruar vendin e dytë në Botërorin e Slalomit në Finlandë.E gjithë kjo arritje e madhe në një ditë të veçantë për Larën, e cila sot feston 19-vjetorin e saj. Edhe 100 Lara” shkruan Rama.
Colturi realizoi dy lëshime perfekte, duke regjistruar kohën 1:50.58, që i siguroi podiumin e dytë. Kampionia amerikane Mikaela Shiffrin, me kohën 1:48.92, fitoi për herë të nëntë në Levi, duke konfirmuar dominimin e saj në këtë disiplinë.
Ky triumf i Larës Colturi shënon një moment të veçantë për sportin shqiptar, duke e ngritur më lart profilin e vendit në arenën ndërkombëtare të skive.
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), që ka siguruar të drejtat ekskluzive për transmetimin e Kampionatit Botëror të Skive, po sjell për publikun shqiptar emocionet e garave më të rëndësishme të sportit dimëror.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




