Kosovë, Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit

Kosovë | 12 muaj më parë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ndryshuar udhëheqjen e saj sot gjatë Konventës së 12-të të partisë. Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së, duke marrë drejtimin e partisë nga Memli Krasniqi.

Në fillim të Konventës, Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen e tij nga pozita e Kryetarit të PDK-së, një detyrë që e mbajti për 4 vjet e 4 muaj.

Arsyet e largimit

Para delegatëve, Krasniqi e cilësoi detyrën e kryetarit si “nderin më të madh” të jetës së tij politike, duke theksuar se po largohet “me mirënjohje, me krenari, me paqe.”

Duke argumentuar vendimin, ai theksoi se PDK-ja ka nevojë për një “energji dhe momentum të ri” dhe për një udhëheqës që njëkohësisht do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Nuk po largohem prej lodhjes apo zhgënjimit. Po e bëj këtë nga përgjegjësia… sepse besoj që shtëpia jonë është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja,” tha Krasniqi, duke shtuar se e lë partinë “më të fortë se sa e kishte gjetur.”

Ai vlerësoi arritjet gjatë mandatit të tij, duke përmendur ringritjen e PDK-së me fitore në disa komuna kyçe dhe rikthimin në rolin e forcës kryesore opozitare.

Pas njoftimit të dorëheqjes, delegatët e partisë zgjodhën Bedri Hamzën, i cili tani pritet të udhëheqë PDK-në drejt sfidave të reja zgjedhore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme