Moska kritikon Francën: Parisi po nxit luftë me marrëveshjen për t’i dhënë Kievit avionë Rafale

Botë | 12 muaj më parë

Nxitëse të luftës e cilësoi Moska, Francën pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për të furnizuar Kievin me avionë luftarakë “Rafal”.  “Parisi nuk po kontribuon në asnjë mënyrë për paqen, por përkundrazi po nxit ndjenjat militariste dhe proluftës”- tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur Agjencisë Franceze të Lajmeve AFP.

Presidenti Emanuel Macron dhe homologu i tij ukrainas Volodimir Zelenski nënshkruan të hënën një letër ku shprehet angazhimi i Kievit për të blerë nga kompanitë franceze deri në 100 avionë francezë “Rafal” dhe pajisje të tjera të mbrojtjes ajrore. Franca i ka dërguar Kievit avionë luftarakë “Mirage”, por deri tani nuk kishte pasur negociata që Ukraina të blinte avionët “Rafal”, mjetet ajrore kryesore të aviacionit luftarak francez.

Gjatë gjithë luftës, Rusia ka kritikuar ashpër vendet e NATO-s për furnizimin e Ukrainës me armë, ndërsa ka nënvizuar se ato pajisje ushtrake nuk përbëjnë asnjë ndryshim në fushën e betejës. “Pavarësisht se çfarë avionësh i shiten regjimit të Kievit, kjo nuk do ta ndryshojë situatën në vijën e frontit dhe nuk mund ta ndryshojë dinamikën e luftës”-  theksoi Peskov gjatë takimit me gazetarët.

Sipas pallatit presidencial francez, dokumenti i nënshkruar të hënën nga dy presidentët nuk ishte një kontratë shitblerjeje, por planifikohet të vihet në zbatim brenda një periudhe kohore prej 10 vitesh. Ai parashikon kontratat që do të nënshkruhen në të ardhmen për blerjen nga Ukraina të avionëve francezë “Rafal”.

Gazetare: Vjollca Zhari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme