Buxheti 2026, Vengu: Mundëson modernizimin e FA, ringritjen e industrisë ushtarake dhe rritjen e kontributit tonë në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka prezantuar në Kuvend pr.buxhetin për 2026-ën, ku vuri theksin te modernizimi i Forcave të Armatosura, ringritja e industrisë ushtarake, forcimi i emergjencave civile dhe rritja e kontributit në NATO dhe në sigurinë rajonale.
Vengu deklaroi se buxheti për 2026-ën parashikon rritje të pagave për ushtarakët, ndërsa theksoi se për të parën herë financohet statusi i ri i ushtarakut.
“Kalojmë një kufi të rëndësishëm me këtë buxhet. Buxheti i vitit 2026 do mundësojë modernizimin e FA-ve, ringritjen e industrisë ushtarake, forcimin e emergjencave civile, rritjen e kontributit tonë në NATO dhe në sigurinë rajonale.
Ky besim buron nga orientimi i projekteve që financohet nga ky buxhet. Një rritje me 12% krahasuar me buxhetin e 2025 duke arritur 58.9 mld lekë ose 2.12% të PBB-së.
Ky është një zgjedhje politike dhe strategjike e qeverisë Rama që t’i japë mbrojtjes peshën reale që meriton në projektin tonë për Shqipërinë “2030”. 13 mld lekë do shkojnë për njerëzit tanë me uniformë për paga më të larta.
Vijojmë rritjen e pagave për ushtarakët. Kushte më të mira jetese dhe shërbimi, financojmë për herë të parë statusin e ri të ushtarakut”, deklaroi ministri.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm në buxhet, sipas Ministrit Vengu lidhet me rekrutët e rinj.
Ai bëri me dije se gjatë 2025-ës janë regjistruar 721 rekrutë të rinj, të cilët sikurse tha Ministri, do të vijojnë të mbështeten financiarisht me qëllim pasjen e një rekrutimi sa më cilësor e të gjerë në të ardhmen.
“Rekrutim më i gjerë dhe më cilësor. Shifra të larta shifra rekord në 2025-ën me 721 rekrutë të rinj që do vijon ëtë mbështeten financiarisht për të pasur një rekrutim sa më cilësor në të ardhmen. Me këtë buxhet ne japim dinjitet e besim”, tha ai, ndërsa theksoi se një tjetër synim është forcimi i lidhjes mes rinisë dhe Forcave të Armatosura si kapital njerëzor kombëtar.
“Ju themi të rinjve dhe të rejave se shteti është me ta. Në qendër të këtij vizioni qëndron ripërtëritja e kapitali njerëzor. Synimi ynë, forcimi i lidhjes mes rinisë dhe forcave të armatosura si kapital njerëzor kombëtar.
Do orientojmë të rinjtë drejt mundësive profesionale civile brenda sistemit të mbrojtjes por edhe drejt shërbimit me uniformë qoftë në komponentin akti, qoftë atë rezervistë.
Po hapim karrierën ushtarake edhe atë të ekspertëve të mbrojtjes civile për profesionistë të rinj përmes kurrikulave dhe angazhimit me botën akademike”, përfundoi Vengu.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




