Më 28 dhjetor zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, analisti për RTSH: Data favorizon pjesëmarrjen e Diasporës

Kosovë | 12 muaj më parë

Analisti Krenar Shala në një lidhje me studion e RTSH24, deklaroi se përcaktimi i datës 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ka qenë e përshtatshme për një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve dhe të Diasporës gjithashtu.

Ai theksoi se Presidentja Osmani ka shfrytëzuar periudhën e festave kur edhe një pjesë e Diapsorës së Kosovës rikthehet në vendlindje për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike të votimit, ndonëse ky proces realizohet edhe me Postë për pjesën tjetër që nuk mund të jetë fizikisht e pranishme.

“Ne e kemi ditur që zgjedhjet janë afër. Ajo që nuk dinim është data. Presidentja mendoi se data e përshtatshme do ishte 28 dhjetori sepse në këtë datë numri më i madh i mërgatës sonë që jeton jashtë do vizitojë Kosovën.

Edhe pse mërgata jonë ka të drejtën të votojë përmes ambasadës apo përmes postës, presidentja ka menduar se do ishte e udhës nëse ata një pjesë e konsiderueshme do vizitojnë familjet e tyre  gjatë festave të fund vitit dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Gjithçka është në rregull”, deklaroi Shala.

Ky i fundit deklaroi se partitë opozitare duhet të punojnë më shumë për të siguruar votën e Diasporës.

“Mendoj se partitë opozitare duhet të punojnë më shumë që të marrin votën e mërgimtarëve dhe jo të bëjnë makinacione të ndryshme politike që ta evitojnë sa më shumë votën e mërgimtarëve siç kanë bërë më herët dhe këtu VV e ka shfrytëzuar dhe ka fituar zemrën e mërgatës.  S’ka faj VV kur partitë opozitare s’kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë moment”, tha ai, ndërsa shtoi se është detyrë e Presidentes që të përcaktojë datën e zgjedhjeve brenda 45 ditësh nga shpërbërja e Kuvendit.

“Është në diskrecion sipas Kushtetutës që Presidentja të përcaktojë datën sipas limiteve kushtetuese që përcaktohet deri në 45 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit”, përfundoi analisti.

Presidentja Vjosa Osmani shpërndau sot Kuvendin e Kosovës dhe caktoi 28 dhjetorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme