LDK nominon Abdixhikun kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nominuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
LDK-ja do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, por do të lërë hapësirë në listë për individë dhe parti të tjera, përfshirë Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, si dhe parti të vogla, por bisedimet me këto subjekte do të zhvillohen në ditët në vijim.
“Ndonëse e hapa diskutimin, nuk zgjati shumë. Ishte një diskutim i shkurtër. Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoj. LDK-ja do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera përfshirë edhe Limajn me deputetët e vet. Për këtë çështje do të zhvillohen bisedime në ditët në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë e tjera që janë Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit. Pra, ne jemi të hapur edhe për partitë ,edhe për individët. Pra, individë që duan të garojnë në listën e LDK-në”, tha Abdixhiku gjatë një konference për mediat.
Abdixhiku u bëri thirrje partive për bashkim, duke theksuar nevojën për një rezultat që shmang bllokadën politike të krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Bëj thirrje për përbashkim. Ky moment i ri e vendos LDK-në në një pozicion përtej bazës së vetë. Të punojmë që të mos ketë rezultat të njëjtë që më pas dërgon në bllokadë”, tha ai.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK doli e treta me 18.27% të votave, ndërsa Vetëvendosje fitoi 42.30%, por nuk arriti të formonte qeverinë, çka çoi në shpalljen e zgjedhjeve të reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




