Dhuna ndaj grave dhe në familje – Rritet numri i denoncimeve. Kryeson Tirana, Gjirokastra numrin më të ulët

Aktualitet | 11 muaj më parë

Denoncimi i rasteve të dhunës në familje, kryesisht ndaj vajzave dhe grave, po vjen gjithnjë e në rritje, ku nga janari deri në fund të muajit shtator janë raportuar mbi 4200 raste në të gjithë Shqipërinë.

Të dhënat e Policisë së Shtetit saktësojnë, se Tirana ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve të denoncuara, ku nga efektivët blu janë administruar mbi 1600 denoncime.

Ndërsa numrin më të ulët gjatë kësaj periudhe, e ka pasur Gjirokastra, ku policia ka administruar mbi 50 raste denoncimesh.

Lidhur me urdhrat e mbrojtjes, të dhënat saktësojnë se nga janari deri në fund të shtatorit, janë firmosur mbi 2200 të tillë, duke mbrojtur vajzat e gratë, por edhe djemtë e burrat, por mbi 2800 gra kanë raportuar dhunë ndaj tyre nga bashkëshortët, partnerët apo vëllezërit.

Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit gratë dhe vajzat janë përballur edhe me dhunë online, ku të dhënat e dikasterit blu saktësojnë, se në nëntë muaj janë regjistruar mbi 1200 vepra penale të lidhura me krimin kibernetik.

Raportet saktësojnë, se 41% e vajzave dhe grave mbi 18 vjeç kanë përjetuar të paktën një nga format e dhunës së ushtruar përmes teknologjisë, ndër të cilat më të rrezikuarat janë vajzat dhe gratë e reja dhe të arsimuara (18-24 vjeç).

Gjatë tre viteve të fundit, 58% e viktimave të abuzimeve në internet kanë qenë gra dhe vajza, të cilat, si rezultat i përndjekjes kibernetike, zhvatjes përmes internetit dhe gjuhës së urrejtjes, kanë pasur pasoja të rënda për shëndetin, sigurinë emocionale dhe jetën shoqërore të tyre.

Në periudhën nga 2021 deri në 2024, 27 gra janë vrarë nga partneri intim ose nga një anëtar i familjes ndërsa ë 10 vitet e fundit më shumë se 120 gra e vajza janë vrarë nga partnerët, bashkëshortët apo vëllezërit e tyre.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme