Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntorin: Kjo datë është shenja jonë e shenjtë kombëtare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti e ka cilësuar këtë datë si pikën kyçe të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar, ashtu siç gërshetohet 28 Nëntori me fatin e kombit tonë,” shkruan ai, duke përmendur ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Krujë në vitin 1443.
Në urimin e tij, Kurti kujton edhe 28 nëntorin 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Ai përmend vizionin e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar dhe citon Luigj Gurakuqin, i cili në vitin 1913 e quante shpalljen e pavarësisë “një të paçmueshme dhe të pashpresuar”.
Kryeministri në detyrë ndalet edhe te ngjarjet e rëndësishme të historisë, të cilat lidhen gjithashtu me 28 Nëntorin: lindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz, njeriut që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës; si dhe dalja publike e UÇK-së, më 28 nëntor 1997, si dëshmi se “ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim për liri”.
Kurti thekson se të gjitha këto përpjekje janë kurorëzuar sot me dy shtete shqiptare të lira dhe të pavarura: Shqipërinë dhe Kosovën.
Në mesazhin e tij, ai flet edhe për një “Nëntor të Tretë”, të cilin e cilëson si aspiratë të së ardhmes.
“Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë do të përmbushet”, shprehet ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




