113-vjetori i Pavarësisë, Spiropali i përgjigjet urimit të Misionit të BE: Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit europian është i palëkundur

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në kuadër të 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka përcjellë një urim zyrtar për popullin shqiptar.

“Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ju uron festa të gëzuara!”, thuhej në mesazhin e tyre.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Europës, Erisa Spiropali, ka reaguar ndaj urimit të përcjellë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë.

Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se, “Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit në BE është i palëkundur; ai është dhe do të mbetet prioriteti ynë kombëtar më i rëndësishëm deri në momentin kur të zëmë vendin tonë të merituar në familjen evropiane.”

Duke reflektuar mbi ecurinë e këtij viti, ministrja theksoi se 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

“Viti 2025 ka qenë i shënuar nga progres i fortë dhe domethënës në marrëdhëniet tona, që vijojnë të thellohen gjithnjë e më shumë. Asnjëherë më parë bashkëpunimi ynë nuk ka avancuar me kaq ritëm, koherencë dhe përkushtim të përbashkët, në Shqipëri, në Bruksel dhe në mbarë Evropën.”

Spiropali nënvizoi se ky bashkëpunim pasqyron bindjen e thellë se vendi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një investim strategjik për stabilitetin, paqen dhe kohezionin e kontinentit.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, udhëheqjen dhe përpjekjet e përbashkëta të Komisionit Evropian, përfshirë Delegacionin e BE-së në Shqipëri, ndërsa hedhim hapat e radhës drejt së ardhmes sonë evropiane.”

Ky mesazh vjen në një ditë të rëndësishme për kombin shqiptar, ku festimet e Pavarësisë janë shoqëruar me aktivitete në mbarë vendin dhe urime nga partnerët ndërkombëtarë, duke e kthyer 28 Nëntorin jo vetëm në një ditë krenarie kombëtare, por edhe në një moment reflektimi mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme