Messi bëhet “mbreti” i asisteve në historinë e futbollit, shkon në finalen e titullit në Mls

Inter Miami i Lionel Messi ka mundur 5-1 New York City FC në finalen e Eastern Conference, duke u kualifikuar kështu për në finalen e kampionatit amerikano-verior të futbollit (Mls). Miami do të luajë për titullin e parë më 6 dhjetor, kur do të presë Vancouver Whitecaps, që u kualifikua pasi mundi 3-1 San Diego FC.
Argjentinasi Tadeo Allende realizoi 3 gola, ndërsa fitorja e Inter Miami u kompletua nga golat e Mateo Silvetti, – me asist të Messi, – dhe Telasco Segovia.
Messi do të ketë mundësi javën e ardhshme që të fitojë titullin e parë në futbollin amerikan, pas 10 titujve të fituar në Spanjë me Barcelonën dhe 2 titujve të fituar në Francë me PSG-në. Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk ka vendosur ende, nëse do ta mbrojë titullin botëror me Argjentinën vitin e ardhshëm, në Botërorin e parë me 48 skuadra.

Ylli argjentinas ndërkohë ka regjistruar rekordin e radhës në karrierën e tij të pambarimtë. Me atë që dha në ndeshjen e fundit, Messi ka arritur kuotën e 405 asisteve. Ai është bërë kështu “mbreti” i asisteve në historinë e futbollit. Pas tij vijnë Puskas me 404 asiste dhe Pelé me 369 asiste.
Në pritje të finales, një ndeshje teke në “Fort Lauderdale” kundër kanadezëve, Messi, në moshën 38-vjeçare, mund të thotë se ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



