Sfida mes kuqezinjve në Itali/ Berisha protagonist me dy asiste, Asllani humb penallti

Tre lojtarë të Kombëtares shqiptare zbritën në fushë nga minuta e parë sot në sfidën mes Leçes dhe Torinos. Ylber Ramadani dhe Medon Berisha të ekipit vendës përballë Kristjan Asllanit. Ka munguar për shkak dëmtimi lojtari tjetër kuqezi, Adrian Ismajli, pjesë e Torinos.
Kanë festuar në fund Ramadani dhe Berisha, pasi ndeshja përfundoi me fitoren 2-1 të Leçes. Protagonistë ishin të tre kuqezinjtë, ata të Leçes në sensin pozitiv, kurse ai i Torinos në sensin negativ.

Kristjan Asllani kishte shansin të linte shenjë në këtë sfidë, por në minutën e fundit humbi një penallti vendimtare, që mund t’i kishte dhënë pikë skuadrës së tij në këtë transfertë, duke e barazuar rezultatin në 2-2. Gjuajtja e shqiptarit të Torinos u ndal nga portieri Falcone.
Berisha në anën tjetër shkëlqeu në pjesën e parë, duke dhënë pasimet për dy golat e Leçes. Ai krosoi bukur nga goditja e këndit në rastin e golit të parë dhe pas dy minutash pasoi bukur për Banda në rastin e golit të dytë.
Medon Berisha u zëvendësua 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, ndërsa Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani luajtën deri në fund. Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




