Atentati në Elbasan – Gjendet në Librazhd makina e djegur dhe arma që u përdorën nga autorët

Një ditë pas atentatit të ndodhur në qytetin e Elbasanit, është gjetur automjeti i djegur dhe arma që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Makina e djegur tip “Audi” u gjet në afërsi të fshatit Mirakë, të Librazhdit, ndërsa brenda saj u gjet e djegur edhe pistoleta tip “Berett”, me të cilën dyshohet se është qëlluar për vdekje Edmond Hyka.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku 43-vjeçari Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover, kur një makinë Audi e zezë iu afrua, duke qëlluar drejt tij.
Dy plumba në kokë rezultuan fatalë për biznesmenin, i cili humbi jetën në vendngjarje. Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa po analizohen pamjet filmike të zonës dhe po mblidhen prova të tjera materiale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Hetimet po zhvillohen në disa pista paralelisht, ndërsa në terren vijon operacioni policor për kapjen e autorëve.
Sipas të dhënave të policisë dhe burimeve hetimore, Hyka rezulton të ketë pasur precedentë penalë të mëparshëm në Shqipëri dhe në Itali. Dyshohet se në Itali ka qenë i lidhur me aktivitete kriminale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike. Para dy vitesh, ai ishte shoqëruar nga Policia e Elbasanit për armëmbajtje pa leje, ndërsa gjatë kontrollit në automjet i ishin gjetur edhe objekte të forta si shkopinj bejsbolli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




