PD mban protestën e tretë para kryeministrisë, Berisha: Jemi në betejën vendimtare. Me Ramën, kurrë më në zgjedhje

Pas dy protestave të mbajtura më 17 dhe 24 nëntor, PD u rikthye sërish këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë, ku u mbajt tubimi i radhës
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ishte i pari që mbajti fjalën, teksa më pas vijuan me radhë qytetarë të ndryshëm, që ngritën shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Kryedemokrati Sali Berisha mbajti fjalën i fundit, teksa deklaroi se opozita nuk do të ndalë tubimet deri në largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Një bandë e cila është zhytur në krim, vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi. Në ekzistencën tonë të gjatë, ne kemi njohur shumë pushtime, diktatura, por kurrë nuk kemi shkuar brenda 10 viteve në 100 vite mbrapa siç kemi shkuar në këto 10 vite. Asnjëherë nuk jemi varfëruar më shpejt se në këto 10 vite, asnjëherë nuk ka patur një grup kaq antishqiptar në çdo aspekt, sa ç’kemi sot. Ne nuk e lëshojmë këtë shesh, ky është sheshi ynë. Dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë nga kjo bandë“, tha Berisha.
Ai deklaroi se opozita ka hyrë në një betejë vendimtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se nuk do të hyjë më në zgjedhje me Edi Ramën.
“Kemi hyrë në betejën vendimtare. Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje. Zgjedhjet dhe votën nuk ja falim kurrë. Rama do të jetë e shkuara e zezë e këtij vendi. Ligji, Kushtetuta, liritë tuaja dhe të drejtat do të triumfojnë përsëri. Të hënën tjetër sërish këtu dhe çdo të hënë. Do ta nisim javën me betejë dhe kjo është rruga drejt fitores ”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat Klevis Balliu, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Të gjithë këta janë hajdutë, por kryehajduti është Edi Rama. Duke filluar me Belinda Ballukun, e cila ka përgjegjësitë e veta, vjedhjet e veta, hajdutlliqet e veta, por asnjë aferë korruptive nuk e bënte dot pa projektet dhe miratimin e Edi Ramës. Asnjë ministër, deputet apo eksponent i PS i lidhur me krimin e organizuar nuk mund të shkonte te krimi i organizuar pa miratimin e narkokryeministrit Edi Rama. Të gjitha krimet dhe vjedhjet në Shqipëri kanë një të përbashkët, dhe ajo është Edi Rama. Armiku numër 1 sot i çdo qytetari shqiptar është Edi Rama”, u shpreh Balliu.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe u mbyll në orën 19:15, ndërsa është pjesë e një aksioni të quajtur “Parlamenti para Kryeministrisë”, që do të jetë aksion i përjavshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




