Vrasja e biznesmenit në Elbasan, arrestohet bashkëpunëtori dhe roja i karburantit, 2 autorët në kërkim

Aktualitet | 11 muaj më parë

Dy persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, si persona që dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj biznesmenit Edmond Hyka mbrëmjen e 30 nëntorit.

Policia bën me dije se janë arrestuar Xhino Ago i dyshuar si bashkëpunëtor dhe roja i karburantit Kujtim Pisha, ndërsa u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola, të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit Hyka, pas identifikimit nga kamerat e sigurisë.

“Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Menjëherë sapo kanë mbërritur në komisariat, të dyshuarit janë pyetur me imtësi lidhur me funksionin e tyre në atentatin ndaj biznesmenit Hyka.

Sipas hetimeve, Edmond Hyka alias Mond Mëhalla ka patur një konflikt me ish-ortakun e tij, i cili nga ana tjetër, ka gënjyer kur është pyetur se ku ndodhej në momentin e vrasjes së Mëhallës. Ndërsa roja i pikës së karburantit, dyshohet për pengim të hetimeve për ngjarjes.

Biznesmeni Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover në momentin që një makinë tip Audi e zezë i është afruar duke e qëlluar brenda mjetit. Dy plumbat e marrë në kokë, rezultuan fatale për 43-vjeçarin Hyka. Ndërkohë autorët fill pas atentatit u larguan në drejtim të Librazhdit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme