Pezullimi i zv.kryeministres, Rama: Ndërhyrje në procesin qeverisës

Aktualitet | 11 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në rrjetin social X mbi pezullimin nga detyra të Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.Kryeministres Belinda Balluku.

Kryeministri Rama ka garantuar se do të jetë mbështetësi më i paepur i reformës dhe pavarësisë së drejtësisë, ndërsa e konsideroi pezullimin e zv.kryeministres nga GJKKO, si një rrëshqitje të drejtësisë e cila cënon parimet kushtetuese,  prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.

“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie!

Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!

E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese,  prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson më tej se lufta kundër korrupsionit nuk mund të justifikojë, sipas tij, “mjetet e gabuara”, duke kujtuar se përvoja ndërkombëtare tregon se tejkalimi i kufijve proceduralë mund të kthehet në një të keqe më të madhe se vetë fenomeni që synohet të luftohet.

“Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush”, përfundon Rama.

Reagimi i Kryeministrit Rama vjen pas vendimit të marrë sot nga Gjykata Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim ankimimin e tij për pezullimin nga detyra të Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.kryeministres Belinda Ballukut. Vendimi i pezullimit të saj nga detyra u mor nga GJKKO pas marrjes së Ballukut të pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme