Celibashi: Mungesa e raportimit financiar cenon transparencën, partitë nuk pasqyrojnë shpenzimet reale
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ngriti shqetësimin për nivelin e ulët të transparencës financiare të partive politike në vend. Në konferencën “Ndërtimi i besimit në votim, financimi politik dhe reforma zgjedhore”, Celibashi bëri të ditur se shumica e partive nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për raportimin e financave. Kjo, sipas tij, tregon një mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe cenim të transparencës së financimit politik.
“Financimi vjetor i partive politike në tre vitet e fundit tregon një nivel të ulët të përmbushjes së detyrimit ligjor për raportimin financiar. Në vitin 2024, 84 parti nga 135 nuk kanë dorëzuar raportin financiar në KQZ; në vitin 2023 ishin 82 parti nga 132 të regjistruara, ndërsa në vitin 2022 83 parti nga 131 nuk kanë dorëzuar raportimin financiar.
Gjatë vitit 2024, 38 parti kanë rezultuar të paaksesueshme dhe të pakontaktueshme nga KQZ, për shkak të pasaktësisë së adresave ose mungesës së kontakteve. Këto të dhëna, megjithëse sipërfaqësore, tregojnë mosrespektimin e detyrimeve ligjore nga ana e partive politike, duke cenuar transparencën e financimit politik. Nga ana tjetër, për partitë që kanë dorëzuar raportet, audituesit kanë konstatuar: diferenca materiale mes shpenzimeve të raportuara dhe atyre të evidentuara, deklarime të pasakta të të ardhurave, mosrakordim në sistemin e fiskalizimit, mungesë të faturave tatimore, deklarime zero edhe nga parti që dukshëm kanë zhvilluar aktivitet politik.
Modeli aktual i auditimit të financave nuk përmbush pritshmëritë, pasi audituesit ligjorë financohen nga vetë partitë politike, çka krijon rrezik të qartë për pavarësinë e auditimit dhe cenon cilësinë e kontrollit financiar”, tha Celibashi.
Celibashi tha se edhe partitë që kanë dorëzuar raportet, auditimet kanë zbuluar probleme të rëndësishme të shpenzimeve dhe financimeve reale. Celibashi vuri në dukje gjithashtu boshllëqet ligjore që dëmtojnë transparencën, llogaridhënien dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.
“Auditimi i financave duket se modeli aktual nuk përmbush pritshmëritë e gjithkujt, ku audituesit ligjor financohet nga vetë partitë politike dhe krijon rrezik të qartë për pavarësinë e auditimit dhe cenon cilësinë e kontrollit financiar. Kuadri rregullator mbi financimi ka boshllëqe dhe paqartësi dhe kemi mospërputhje mes ligjit për partitë politike dhe kodit zgjedhor për sanksionet financiere, mungesë të rregullimit të plotë të ndihmës financiare të ndaluar, rregulla të pamjaftueshme për subjektet e treta dhe reklamat online. Këto boshllëqe dëmtojnë transparencën, llogaridhënien dhe harmonizimin ligjor me standardet ndërkombëtare. Është e nevojshme krijimi i një kuadri ligjor më koherent dhe rritja e përdorimit të teknologjisë për forcimin e transparencës”, tha ai.
KQZ propozon që kontrolli vjetor të kryhet vetëm për partitë me aktivitet real dhe me financim nga buxheti i shtetit, duke shmangur auditimin formal të partive joaktive.
“KQZ propozon se kontrolli vjetor të kryhet vetëm për partitë që kanë aktivitet real dhe që përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit, gjë që do të eliminonte auditimin formal të partive jo funksionale dhe do të fokusonte burimet tek partitë që ndikojnë realisht në sistemin politik.
Partitë që nuk raportojnë nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërsa ato që kanë marrë fonde publike dhe nuk kanë paraqitur aktivitetin e tyre duhet të përballen me sanksione financiare”, tha Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




