NATO takim në Bruksel, në fokus lufta në Ukrainë dhe çështjet e mbrojtjes

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në Bruksel, ku në qendër të diskutimeve do të jenë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe forcimi i mbrojtjes dhe sigurisë së aleancës.
Në takim marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.
Para nisjes së mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se është thelbësore që Ukraina të mbështetet maksimalisht.
“Do të diskutojmë për ta mbajtur Ukrainën sa më të fortë në luftën që po zhvillohet sot, si dhe për ta vendosur atë në pozicionin më të favorshëm kur bisedimet e paqes të fillojnë realisht dhe të çojnë drejt rezultateve konkrete,” u shpreh Rutte.
Ai theksoi ndër të tjera se mënyra më efektive për të ushtruar presion ndaj Rusisë është vazhdimi i furnizimeve me armë për Ukrainën dhe sigurimi që sanksionet ekonomike të vijojnë të kenë ndikim të ndjeshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




