113-vjetori i Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj: Krenarë për pjesëmarrjen e tyre në misionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së!

Aktualitet | 11 muaj më parë

Presidenti Bajram Begaj ka uruar 113-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificat e efektivëve ndër vite.

Begaj theksoi se Forcat e Armatosura kanë treguar atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë në shërbim të vendit, duke përmbushur me sukses misionin e tyre për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.

“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite.

Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit”, shkruan Begaj.

Presidenti Begaj nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke i cilësuar këto angazhime si burim krenarie dhe kontribut të çmuar në sigurinë kolektive.

“Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive.

Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut! Gëzuar 113-vjetorin FARSH”, shkruan Begaj.

Forcat e Armatosura u krijuan më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme