Ankimi në Kushtetuese për pezullimin e zv.Kryeministres, Peleshi rrëzon kërkesën e PD për interpelancë me Ramën
Kuvendi nuk e ka pranuar kërkesën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin Edi Rama mbi ankimin e këtij të fundit në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga GJKKO-ja të Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.Kryeministren, Belinda Balluku.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi argumentoi se kjo çështje është në shqyrtimin e Kushtetueses dhe nuk mund të diskutohet në Kuvend. Ai theksoi se çdo përpjekje për të nxjerr një vendim politik pa fjalën e Kushtetueses, mund të cenojë parimet e pavarësisë së institucioneve dhe sundimit të ligjit.
“Në shkresën e Kuvendit kam argumentuar mospranimin e kërkesës për interpelancë. Objekti i kërkesës është aktualisht në shqyrtim në kushtetuese e cila po vlerëson nëse kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në seancë plenare. Kërkesa për interpelancë urgjente, nuk duhet pranuar sepse çështja është në shqyrtim dhe është ky organ që do japë një interpretim përfundimtar mbi ndarjen e pushtetit mes institucioneve dhe kompetencat.
Çdo përpjekje për të nxjerr një vendim politik mund të cenojë parimet e pavarësisë së institucioneve e sundimit të ligjit. Domosdoshmëri të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Peleshi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




