Britania e Madhe dhe Norvegjia, flotë të përbashkët detare për të monitoruar nëndetëset ruse

Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë nënshkruar një marrëveshje të re mbrojtëse, e cila parashikon operimin e një flote të përbashkët detare për të monitoruar dhe ndjekur aktivitetet e nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.
Pakti, i cilësuar si një hap i fortë strategjik mes dy vendeve anëtare të NATO-s, synon veçanërisht mbrojtjen e kabllove nënujore, të cilat, sipas zyrtarëve britanikë, janë gjithnjë e më të kërcënuara nga aktivitetet ruse.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka raportuar një rritje prej 30% të anijeve ruse të konstatuara në ujërat britanike gjatë dy viteve të fundit.
Sipas marrëveshjes, marina britanike dhe ajo norvegjeze do t’u vihet në dispozicion një flotë moderne fregatash Type 26, të prodhuara në Britani, për operacione të përbashkëta mbikëqyrjeje.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke theksuar se ajo rrit ndjeshëm aftësinë e vendit për të mbrojtur infrastrukturën e tij kritike nënujore.
Një nga objektivat kryesorë të flotës patrulluese do të jetë ndjekja e anijeve ruse, përfshirë edhe anijen e dyshuar spiune Yantar, e cila kohët e fundit është akuzuar se ka përdorur lazerë për të penguar pilotët britanikë të RAF-it.
Rusia e përshkruan Yantar-in si një anije kërkimore oqeanike, por vendet perëndimore prej vitesh dyshojnë se ajo ka rol aktiv në hartëzimin e kabllove nënujore, të cilat përbëjnë infrastrukturën më të rëndësishme të komunikimit global.
Forcat britanike dhe norvegjeze do të monitorojnë lëvizjet detare ruse në zonën strategjike midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke mbrojtur kabllot e shtratit të detit dhe tubacionet që furnizojnë rrjetet britanike të komunikimit, energjisë elektrike dhe gazit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




