Ndoka: Opozita gaboi duke bojkotuar reformën territoriale, pasojat ndihen edhe sot

Në takimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në qendër të diskutimeve u vendosën reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, aleatët opozitarë ngritën kritika të forta ndaj sistemit aktual zgjedhor dhe administrativ, duke kërkuar ndryshime të thella përtej Kodit Zgjedhor.
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuara me bekimin e Lulzim Bashës, kishin si synim goditjen e LSI-së dhe PDK-së, duke hequr koalicionet klasike.
“Heqja e koalicioneve klasike i dha goditjen përfundimtare pluralizmit. Kam dyshimet e mia se Lulzim Basha i mbylli sytë, sepse kishte interesat e tij për të goditur edhe LSI-në, megjithëse e kishte partnere, dhe për të goditur Partinë Demokristiane. Kjo ka filluar që në vitin 2008,” u shpreh Ndoka.
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, theksoi se sistemi aktual ka penalizuar opozitën në çdo palë zgjedhje.
“Partia Demokratike në ditën më të mirë të saj, në vitin 2009, mori 70 mandate, pra nuk e kaloi pragun e 50%-shit. Ndërsa Edi Rama blen zgjedhje, bën presione dhe bashkëpunon me grupet kriminale, por fitoren bazë ia jep ky Kod Zgjedhor, i cili është problematik dhe antikushtetues. Vota nuk është e barabartë për qarkun e Vlorës dhe për qarkun e Shkodrës. Vetëm me Fierin dhe Vlorën e majta merr 13 mandate plus,” tha ai.
Ndoka u ndal edhe te reforma territoriale, duke e cilësuar si të nxituar dhe të dëmshme.
“E kemi bojkotuar reformën territoriale dhe kemi bërë gabim. Ajo na pengon jashtë mase shumë, si në zgjedhje, ashtu edhe në përfaqësim e shërbime ndaj qytetarëve. Bashkia e kryeqytetit merret edhe me kanalizimet e Zallherit, kur ka 1001 probleme. Kjo është papërgjegjshmëri e madhe e klasës politike, ku edhe ne kemi pjesën tonë të fajit,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar Sali Berishës, Ndoka kërkoi një qasje të qartë për sistemin zgjedhor, duke thënë se “Jam dakord që s’nuk duhet të bojkotojmë, as zgjedhje, as komisione parlamentare, por nuk do ta lejojmë Ramën ne. Nuk na falet ne që presim raportet e OSBE-ODIHR-it apo të mbajmë vëzhgime, apo të tregojmë se si na janë vjedhur zgjedhjet. Ta bllokojmë. Opozita është një institucion. Opozita drejton 50% të territorit në zgjedhje. Opozita kontrollon 50%-shin e tjetër, që ka nënkryetarët“.
Ndoka kritikoi edhe klimën politike brenda opozitës, duke akuzuar PD-në se shpesh i ka trajtuar aleatët si barrë , sikurse ai theksoi se, “Krijohet një frymë sikur aleatët janë një kosto. Jo, aleatët janë vota për ju, janë një vlerë e pluralizmit. Ne marrim shumë më pak sesa na takon bashkë peshës tonë elektorale. Që nga viti 2008, kur u ndryshua Kodi Zgjedhor, ne nuk testohemi. Futemi në koalicion dhe votat tona mbeten në letër, ndërsa ju përfitoni mandatet,” u shpreh ai.
Në përfundim, Ndoka kërkoi një sistem plural dhe përfaqësues, që sipas tij do të zbehë rolin e grupeve kriminale në zgjedhje dhe do t’i japë opozitës epërsi morale.
“Ne duam një koalicion klasik, me siglën tonë, emrat tanë dhe kandidatët tanë. Edi Rama ndryshoi kushtetutën me ndihmën e Lulzim Bashës, jo me ne. Ne e kundërshtuam dhe dorëzuam mandatet. Sot duhet të ndajmë mendjen për një sistem plural, përfaqësues, që e zbeh rolin e grupeve kriminale dhe i jep opozitës epërsi morale. Para vitit 2008 kishim një sistem shumë më të mirë, por e ngushtuam pluralizmin dhe e dëmtuam veten jashtë mase shumë,” përfundoi Ndoka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




