Elbasani-Vllaznia në RTSH, sfida mes dy kryesuesve për të kapërcyer krizën e golit

Abissnet Superiore | 11 muaj më parë

Jo vetëm derbi Tirana-Partizani. Java e 15-të e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, sjell edhe një sfidë tjetër mjaft interesante, Elbasani-Vllaznia. Dy skuadrat që kryesojnë renditjen përballen të hënën mes tyre në një 90-minutësh, ku do të tentojnë të kapërcejnë krizën e golit.

Në tri ndeshjet e fundit, si Elbasani, ashtu edhe Vllaznia, kanë shënuar vetëm nga një gol. Asnjë prej tyre nuk ka mundur të fitojë në këto 3 ndeshje. Elbasanasit, në vend të parë me një pikë më shumë se shkodranët, kanë 3 barazime radhazi. Vllaznia ndërkohë ka regjistruar 2 barazime dhe 1 humbje në fushën e saj.

Të dyja palët, duke iu referuar edhe deklaratave të trajnerëve Gvozdenoviç dhe Martini, synojnë ta kalojnë momentin e vështirë pikërisht mbrëmjen e së hënës, në sfidën direkt mes tyre.

Elbasani ka avantazhin e fushës në këtë rast, me një mbështetje më të madhe nga ana e tifozëve. Po ashtu, verdheblutë vijnë në këtë përballje me një skuadër më të plotë në raport me Vllazninë, që këto javë po përballet me disa mungesa.

Asnjërës prej këtyre skuadrave nuk i intereson barazimi, pasi rivalët për kreun mund të përfitojnë. Në “Elbasan Arena” pritet një lojë sulmuese, për të gjetur golat dhe fitoren e munguar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme