Rama: Ankimimi në Kushtetuese nuk është çështje politike, ministri nuk mund të pezullohet si çdo funksionar tjetër

Politikë | 11 muaj më parë

Në episodin e 9-të të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u rikthye te çështja e ankimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se procesi nuk lidhet me një betejë politike, por me mbrojtjen e kufijve mes pushteteve.

Ai ngriti alarmin për atë që e quajti “nënshtrim brutal i ekzekutivit” duke argumentuar se pezullimi i një ministri krijon pasoja të rënda institucionale dhe paralizon funksionimin e agjencive të rëndësishme të shtetit.

“Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet që mund të bëhen të pallogaritshme”, tha Rama.

Rama argumentoi se sipas tij, vendimet e fundit të drejtësisë kanë prodhuar vakanca të pariparueshme.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykates, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike.

Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet  që mund të bëhen të pallogaritshme.

Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it.  Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë. Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtëpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejten e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër

Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një këmbanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme