Meçe: Ishim 7 veta që nuk njihnim njëri-tjetrin. Në 12 të natës, Berisha i vendosi emrin Partisë Demokratike
Analisti Arben Meçe ka rrëfyer në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se si u vendos në 12 të natës emri i Partisë Demokratike.
Duke sjellë në vëmendje ngjarjet e Dhjetorit të vitit 1990, Meçe theksoi se ishte Sali Berisha ai i cili deklaroi prerë që partia e re politike do quhej; Partia Demokratike.
“8 dhjetori në misionin e tij kishte pluralizmin. Pluralizmi e rrëzoi sistemin. Nuk e rrëzoi me Partinë Demokratike. Si ecën këto zhvillime është tjetër debat. Kur ne vajtëm te Ramiz Alia vajtëm si heronj, gjithë sheshi na përcolli si heronj, kur u kthyem s’pyeti njeri për ne. Në orën 12 të natës në godinën 14 në katin e dytë mblidhet; Sali Berisha, Arben Meçe, se isha ty, Arben Imami, Azem Hajdari, Preç Zogaj, Eduard Selami, Aleksandër Meksi dhe Gramoz Pashko. Dhe u tha; do vendosim themelimin e Partisë dhe debati ishte ku Azemi thoshte që të quhej lëvizja e studentëve, Pashko thoshte ‘të intelektualëve’. Berisha ka thënë prerë; Do ta quajmë Parti Demokratike sepse demokracinë do ta mbajmë ne, është monopoli ynë etj., dhe e lamë”, u shpreh Meçe.
Analisti Meçe tregoi më tej se ky moment shënon fillimin e historisë së krijimit të partive politike.
“Nesër në mëngjes i gjithë grupi do të shkonte në mëngjes dhe do të bënte programin. Në orën 5 të darkës të shpallej programi, unë do merresha me studentët, për të organizuar studentët dhe për të ruajtur rendin aty. Këtu fillon historia e partive, a ju shkon ju në mendje që të mblidhen 7, 8 veta që nuk njihnim njëri-tjetrin”, theksoi Meçe ndërsa shtoi se “atje u vendos që do ishin edhe studentët në kryesi po studentët u vendosën si emër dhe më pas u larguan me radhë. Prandaj gjithë këta studentë në lëvizjen dhe shpirtin e tyre të ndryshimit, në këtë lëvizje, i gjithë kombi shqiptar duhet t’i ketë ikonë për atë që i bënë këtij vendi; pluralizmin.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




