Bllokohet sot aksi Kakavijë–Janinë, fermerët në protestë, rruga do të jetë e pakalueshme nga ora 19:00 deri në orën 22:00 me orën greke

Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar zyrtarisht se qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Kakavijë–Janinë do të paralizohet përkohësisht ditën e sotme. Shkak për këtë bllokim është bërë protesta e paralajmëruar e fermerëve grekë.
Sipas njoftimit, i cili u përcoll nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit nga pala greke, bllokimi do të ndodhë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq.
Rruga do të jetë e pakalueshme nga ora 19:00 deri në orën 22:00 me orën greke. (Për qytetarët shqiptarë, kjo korrespondon me orën 18:00 deri në 21:00 me orën tonë lokale).
Autoritetet kanë sqaruar se protesta do të jetë bllokuese për të gjitha llojet e automjeteve private dhe të transportit, me një përjashtim të vetëm që do të lejohet kalimi vetëm për automjetet që transportojnë raste të emergjencave shëndetësore.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.”, njofton policia.
Për të shmangur radhët e gjata dhe pritjet e panevojshme në kufi apo në rrugë, Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u bën thirrje që të shmangin këtë fashë orare, duke planifikuar udhëtimet e tyre para ose pas përfundimit të protestës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




