Spitali Memorial Fier realizon me sukses stentimin e arteries karotide te një pacient 99‑vjeçar

Në Spitalin Memorial Fier është kryer një tjetër ndërhyrje e suksesshme, duke dëshmuar për avancimin e shërbimeve shëndetësore publike në vend.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka ndarë këtë rast në faqen e saj zyrtare në Facebook, si shembull të përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor.
Në postimin e publikuar, theksohet ndërhyrja e parë e stentimit të arteries karotide në një spital publik, e realizuar me sukses në Spitalin Memorial të Fierit tek 99-vjeçari Qemal Isufaj, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të ekipit mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shkruan se , pak ditë më parë, në Spitalin Memorial të Fierit, 99-vjeçari Qemal Isufaj u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore, duke pasur nevojë për një ndërhyrje të specializuar në tru.
“Falë profesionalizmit dhe ekspertizës së avancuar të ekipit mjekësor, u realizua me sukses angiografia cerebrale dhe stentimi i arteries karotide të djathtë – një procedurë delikate dhe jetike, e kryer për herë të parë në një spital publik në vend.”- thuhet në njoftim.
Ky sukses, sipas ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shënon një hap të madh për sistemin shëndetësor shqiptar, duke treguar se shërbimet cilësore dhe teknologjitë e avancuara tashmë janë të aksesueshme për çdo qytetar, pa dallim vendbanimi.
Ministria shprehu mirënjohje për mjekët dhe infermierët që shërbejnë me përulje dhe devotshmëri në çdo strukturë shëndetësore të vendit, si dhe falenderoi pacientët që besojnë dhe mbështeten tek profesionalizmi i tyre.
“Faleminderit çdo pacienti që beson dhe mbështetet tek profesionalizmi! Mirënjohje çdo mjeku e infermieri që shërben me përulje e devotshmëri në çdo strukrurë shëndetësore në vend”, pwrfundon mesazhin e saj Ministria
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




